Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit që lidhen me protestat qytetare në Tiranë, duke akuzuar Partinë Socialiste për keqpërdorimin e figurave të luftës çlirimtare të Kosovës në debatin politik të brendshëm.
Në një prononcim për mediat, Bardhi komentoi reagimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke pretenduar se qëndrimet e tij po përdoren nga mazhoranca për qëllime politike.
Sipas Bardhit, qeveria po tenton të zhvendosë vëmendjen nga kërkesat e protestuesve përmes sulmeve dhe intimidimit ndaj qytetarëve.
“Qeveria po luan një rol që nuk e luan asnjë parlament në botë, duke nxjerrë në publik qytetarët që protestojnë, duke i fyer dhe intimiduar ata. Ka arritur deri aty sa të keqpërdorë luftën çlirimtare të Kosovës për debat politik në Shqipëri dhe figura kombëtare si Ali Ahmeti, me pretendime dhe gënjeshtra në raport me protestuesit”, deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se, sipas tij, janë bërë përpjekje për të përfshirë edhe figura të tjera të lidhura me historinë e Kosovës në debatin politik në Shqipëri.
“U tha se Ali Ahmeti ishte i shqetësuar për qytetarët që protestojnë. Madje u detyrua edhe djali i Hashim Thaçit të vinte, sepse Rama kërkonte një fotografi”, u shpreh Bardhi.
Deklaratat e kreut të grupit parlamentar të PD-së vijnë në vijim të debatit politik që ka shoqëruar protestat e zhvilluara në Tiranë dhe reagimet e aktorëve politikë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
