Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku nuk u arrit dakordësi për kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me protestat dhe kërkesat e qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Balla tha se mazhoranca nuk e njeh Partinë Demokratike si përfaqësuese të protestës dhe vuri në pikëpyetje mandatin e saj për të folur në emër të protestuesve.
“Kam pyetur opozitën në Konferencën e Kryetarëve se me çfarë mandati kanë ardhur si zëdhënës të protestës. Ua kam bërë të qartë se nuk i njohim si përfaqësues të saj. Pranoj gjithkënd, por partinë e Berishës nuk mund ta pranoj kurrë si përfaqësuese të protestës”, deklaroi Balla.
Ai akuzoi opozitën se ka ndryshuar përmbajtjen e kërkesave të protestuesve, duke pretenduar se vetëm njëra prej tyre përputhej me ato të paraqitura nga organizatorët e protestës.
“Sollën një kërkesë ku vetëm numri i pikave ishte i njëjtë. Vetëm kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit ishte e njëjtë, ndërsa katër pikat e tjera ishin hallet e opozitës dhe jo kërkesat e protestuesve”, u shpreh kreu i grupit socialist.
Në përfundim, Balla i bëri thirrje Partisë Demokratike të sqarojë publikisht nëse ka marrë ndonjë mandat nga protestuesit për t’i përfaqësuar në Kuvend.
“Meqë komunikimi është publik dhe partitë kanë radhën e tyre për të folur, le t’i përgjigjen edhe kësaj pyetjeje: A ka Partia Demokratike mandat për të përfaqësuar protestën?”, përfundoi Balla.
