Trump zgjat sanksionet për Ballkanin Perëndimor, mbeten në fuqi masat për korrupsionin dhe minimin e demokracisë

Data

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë edhe për një vit emergjencën kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor, duke mbajtur në fuqi regjimin e sanksioneve ndaj personave që konsiderohen si kërcënim për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit në rajon.

Sipas njoftimit të publikuar në Regjistrin Federal të SHBA-së, administrata amerikane vlerëson se situata në Ballkanin Perëndimor vijon të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, ndaj masat e vendosura me urdhrat ekzekutivë të mëparshëm do të mbeten në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026.

Regjimi i sanksioneve parashikon bllokimin e pasurive dhe interesave financiare në SHBA për individët që shpallen subjekt i masave, si edhe ndalimin e hyrjes në territorin amerikan.

Në urdhrin ekzekutiv përcaktohet se masa mund të zbatohen ndaj personave që:

  • kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor;
  • minojnë proceset dhe institucionet demokratike;
  • pengojnë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të paqes;
  • janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut;
  • përfshihen në korrupsion, përfshirë shpërdorimin e fondeve publike, ryshfetin apo përfitimin e paligjshëm nga pasuritë shtetërore;
  • mbështesin financiarisht ose materialisht persona që janë tashmë subjekt i sanksioneve.

Po ashtu, urdhri parashikon se sanksionet mund të shtrihen edhe ndaj bashkëpunëtorëve, personave që kontrollojnë ose kontrollohen nga subjektet e sanksionuara, si dhe në raste të caktuara ndaj bashkëshortëve dhe fëmijëve madhorë të tyre.

Administrata amerikane rithekson se këto masa synojnë të mbështesin stabilitetin rajonal, forcimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Vendimi nuk shpall automatikisht individë të rinj nën sanksione, por ruan bazën ligjore që u lejon autoriteteve amerikane të vendosin masa ndëshkuese ndaj personave që plotësojnë kriteret e përcaktuara në urdhrin ekzekutiv.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related