PS përplaset me CNN për raportimin e protestave, zgjerohet beteja politike pas deklaratave të Ramës për “algoritmin”

Data

Polemikat mes mazhorancës dhe mediave ndërkombëtare janë intensifikuar, pasi disa eksponentë të Partisë Socialiste kanë reaguar ndaj një raportimi të CNN për protestat e zhvilluara në Shqipëri.

Debati vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një mbledhjeje me drejtuesit e Partisë Socialiste foli për atë që e cilësoi si “luftë digjitale”, duke kërkuar angazhim më të madh të strukturave të partisë në komunikimin publik dhe në terren.

Në qendër të reagimeve është vendosur një kronikë e CNN, ku u përdorën pamje nga protesta e zhvilluar në Kakome, të cilat u lidhën me klimën e protestave kundër projekteve turistike në jug të vendit. Pas publikimit të kronikës, disa përfaqësues të mazhorancës argumentuan se pamjet ishin interpretuar gabimisht.

Deputeti Ulsi Manja reagoi në rrjetet sociale duke u shprehur se media prestigjioze ndërkombëtare nuk duhet të bjerë pre e informacionit të pasaktë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të mos dëmtojnë, sipas tij, imazhin e Shqipërisë dhe sektorin e turizmit.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili theksoi se protesta në Kakome lidhej me një investim privat shqiptar dhe jo me projektet turistike të përfolura në Sazan apo Zvërnec.

Edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku publikoi një reagim në rrjetet sociale, ku e cilësoi raportimin si të pasaktë dhe argumentoi se përdorimi i këtyre pamjeve mund të krijojë perceptime të gabuara për klimën e investimeve dhe turizmit në Shqipëri.

Ndërkohë, gazetarë dhe analistë kanë kundërshtuar këtë interpretim, duke theksuar se kronika e CNN nuk pretendonte se pamjet i përkisnin protestave në Zvërnec apo Sazan, por i paraqiste ato si pjesë e klimës së përgjithshme të protestave që po zhvillohen në vend.

Përplasja me median amerikane vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa debati politik është zhvendosur gjithnjë e më shumë edhe në rrjetet sociale, ku palët po përpiqen të imponojnë narrativën e tyre mbi zhvillimet e fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related