Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme është shoqëruar me debate të forta në sallë, ku nuk munguan përplasjet mes Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, si edhe kërkesa të reja të mbrojtjes për zgjerimin e listës së dëshmitarëve.
Gjatë seancës, Meta mohoi çdo përfshirje në përfitime të paligjshme që lidhen me Ardian Shatkun, duke deklaruar se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë që e implikon në veprimtari të paligjshme. Ai u shpreh se për veprimet e Kryemadhit përgjegjësinë duhet ta mbajë vetë ajo, deklaratë që solli reagimin e menjëhershëm të ish-deputetes.
Kryemadhi kundërshtoi pretendimet e Metës, duke e akuzuar se po mbështetet te versioni i Prokurorisë së Posaçme dhe duke mohuar akuzat që lidhen me raportet e saj me Shatkun. Debati mes tyre detyroi ndërhyrjen e trupit gjykues, i cili paralajmëroi palët të respektonin rregullat e seancës.
Në vijim të mbrojtjes, avokati Kujtim Cakrani kundërshtoi akuzat e SPAK për çështjen CEZ-DIA, duke argumentuar se ato mbështeten në prova të papërdorshme dhe në interpretime të pabazuara ligjërisht. Ai kërkoi përjashtimin nga dosja të disa materialeve, përfshirë një mesazh telefonik të vitit 2009, video-përgjimin e ish-ministrit Dritan Prifti dhe materiale të arbitrazhit ndërkombëtar.
Meta mbrojti gjithashtu veprimet e LSI-së lidhur me lobimin në Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se kontratat ishin në funksion të mbështetjes së reformës në drejtësi dhe jo për interesa personale.
Në fund të seancës, mbrojtja paraqiti një listë me rreth 130 dëshmitarë që kërkon të thirren nga gjykata. Në këtë listë përfshihen kryeministri Edi Rama, ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ministri Taulant Balla, ish-funksionarë të LSI-së, si edhe ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal.
Gjykata do të shqyrtojë kërkesat e palëve dhe do të vendosë se cilët dëshmitarë do të pranohen në proces. Seanca e radhës është caktuar më 9 korrik, në orën 10:00.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po gjykohen me procedurë të zakonshme për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, ndërsa të dy kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.
