Pacolli apel Prokurorisë së Vlorës: Të ndërhyjë për bllokimin e kantierit të Aeroportit, paralajmëron përshkallëzim të situatës

Data

Tensionet në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijojnë për të tretën ditë radhazi, ndërsa biznesmeni Behgjet Pacolli ka kërkuar publikisht ndërhyrjen e Prokurorisë së Vlorës, duke pretenduar se bllokimi i hyrjes në kantier po pengon vijimin e punimeve dhe lëvizjen e banorëve të zonës.

Sipas Pacollit, kamionë të kompanisë “2A Group”, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, vazhdojnë të qëndrojnë në hyrje të kantierit, duke mos lejuar hyrjen e punonjësve dhe mjeteve të kompanisë MABCO, e cila është e angazhuar në zbatimin e projektit të aeroportit.

Në reagimin e tij publik, Pacolli pretendon se situata ka prekur edhe banorët e fshatit pranë aeroportit, të cilët, sipas tij, nuk kanë akses në pronat dhe tokat e tyre bujqësore për shkak të bllokimit të rrugës.

“Kamionët e Valon Ademit jo vetëm që kanë bllokuar hyrjen në arealin e aeroportit, por kanë uzurpuar edhe rrugën publike të fshatit, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Më skandalozja është se kjo ndodh nën sytë e Policisë së Shtetit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg dhe, në vend që të zbatojë ligjin, po toleron këtë situatë”, shkruan Pacolli.

Biznesmeni i bëri thirrje Prokurorisë së Vlorës të nisë hetimet dhe të marrë masa për zhbllokimin e situatës, duke paralajmëruar se mosveprimi i institucioneve mund të sjellë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria e Vlorës, Policia e Shtetit apo kompania “2A Group” lidhur me pretendimet e ngritura nga Pacolli.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related