Avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, duke deklaruar se mbrojtja ka kërkuar thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama në procesin ndaj ish-presidentit.
Sipas Cakranit, kërkesa për dëshminë e Ramës nuk është e re, por është paraqitur që në momentin kur Metës iu komunikua akuza.
“Ne nuk po thërrasim Edi Ramën si individ, por kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste. E kemi kërkuar që në momentin kur zotit Meta iu komunikua akuza. Kërkuam që zoti Rama të vijë dhe të dëshmojë. Tani mbetet për t’u parë nëse gjykata do ta pranojë këtë kërkesë”, deklaroi Cakrani.
Avokati komentoi cgjithashtu edhe tensionet e krijuara gjatë seancës mes Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, duke sqaruar se situata u përshkallëzua pas përmendjes së emrit të Adrian Shatkut në sallën e gjyqit.
“Nuk duhet trajtuar si një zënkë personale. Gjithçka nisi në momentin kur u përmend Adrian Shatku, i cili sipas nesh është një dëshmitar kyç në këtë proces. Emri i tij përmendet 327 herë në dosje dhe megjithatë nuk është marrë në pyetje. Kjo krijon dyshime dhe perceptimin se diçka nuk shkon”, u shpreh ai.
Cakrani tha se Meta e konsideron të pajustifikuar zgjatjen e procesit dhe masat e marra ndaj tij.
“Kanë kaluar 20 muaj e 2 ditë dhe ende nuk dihet qartë pse po mbahet. Kjo është një çështje që kërkon përgjigje”, deklaroi avokati.
Ai shtoi se gjatë seancës pati tension dhe ngritje të tonit nga ana e Metës, por sipas tij kjo lidhej me mënyrën se si po trajtohen disa elementë të dosjes hetimore.
Mbrojtja e ish-presidentit ka kërkuar gjithashtu që në proces të thirren edhe dëshmitarë të tjerë, mes tyre figura politike dhe persona që sipas avokatëve mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të çështjes.
Seanca në GJKKO u zhvillua mes debateve të forta procedurale dhe përplasjeve verbale, ndërsa gjykata pritet të vendosë në vijim mbi kërkesat e paraqitura nga palët.
