Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj kreut të PL-së, Ilir Meta, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke e cilësuar procesin si tërësisht politik.
Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se gjatë seancës u rrëzuan, sipas tij, të gjitha pretendimet e ngritura ndaj ish-presidentit Meta, ndërsa kërkoi që si dëshmitarë të thirren kryeministri Edi Rama dhe ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal.
“Po filloj me dy emrat kryesorë të dëshmitarëve: Edi Rama dhe Charles McGonigal, të cilët janë jo vetëm autorët e rrëmbimit kriminal të zotit Meta, por edhe ideatorët e gjithë këtij procesi që është kryer politikisht”, deklaroi Blushi.
Sipas tij, fakti që pas 20 muajsh hetime Ilir Meta nuk është marrë ende në pyetje në cilësinë e të pandehurit, tregon se procesi është ndërtuar mbi standarde të dyfishta.
“Pas 20 muajsh hetim të thelluar ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, ende zoti Meta nuk është marrë në pyetje në cilësinë e të akuzuarit. Ky është një tregues i qartë i mënyrës sesi po trajtohet kjo çështje”, u shpreh ai.
Blushi shtoi se mbrojtja ka kundërshtuar edhe mënyrën e verifikimit të pasurisë së Metës, duke kërkuar që të zbatohet e njëjta metodologji që është përdorur për gjyqtarët dhe prokurorët gjatë procesit të vetingut.
“Zoti Meta kërkoi që për të të zbatohet e njëjta metodologji që është ndjekur për gjyqtarët dhe prokurorët. Nuk mund të injorohen të ardhurat e tij që nga fillimi i aktivitetit politik dhe institucional, vetëm për të krijuar artificialisht një diferencë financiare”, tha Blushi.
Ai theksoi se, sipas vlerësimit të Partisë së Lirisë, akuzat ndaj Metës janë “çmontuar fije për pe” gjatë seancës së sotme dhe se procesi ka humbur bazën e tij ligjore.
“Gjithçka është bërë e qartë. Të gjitha deduksionet e prokurorisë janë rrëzuar. Për ne, në aspektin e përmbajtjes, ky gjyq ka përfunduar sot, edhe pse procedurat do të vazhdojnë”, përfundoi Blushi.
