“Universitetet shqiptare po zbrazen”/ Sula: Çdo vit humbasim të paktën 2 mijë maturantë, të rinjtë po largohen për një të ardhme më të mirë

Data

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka ngritur alarmin për rënien e vazhdueshme të numrit të maturantëve dhe studentëve në Shqipëri, duke e lidhur këtë fenomen me emigracionin masiv dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë në vend.

Në një intervistë televizive, Sula deklaroi se sistemi arsimor po reflekton drejtpërdrejt krizën demografike që po kalon Shqipëria, ndërsa shifrat tregojnë një rënie të vazhdueshme të numrit të maturantëve nga viti në vit.

“Vetëm në vitin e fundit kemi të paktën 2 mijë maturantë më pak. Dikur kishim mbi 36 mijë deri në 40 mijë maturantë, ndërsa sot numri ka rënë ndjeshëm. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e shpopullimit dhe emigracionit”, u shpreh ajo.

Sipas Sulës, ulja e numrit të maturantëve sjell pasoja zinxhir në të gjithë sistemin arsimor dhe ekonomik, duke ndikuar në regjistrimet universitare dhe më pas në tregun e punës.

Ajo theksoi se gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të studiojnë jashtë Shqipërisë, për shkak të mundësive më të mira akademike, kostove më të ulëta të studimit dhe perspektivës më të favorshme për punësim.

“Universitetet europiane ofrojnë standarde më të larta, programe të rankuara ndërkombëtarisht dhe mbështetje konkrete për studentët. Në shumë vende si Gjermania, studimet janë pa tarifa, ndërsa studentëve u vihen në dispozicion pajisje dhe infrastrukturë moderne”, tha Sula.

Ajo kritikoi edhe kushtet në arsimin e lartë shqiptar, duke deklaruar se pedagogët vazhdojnë të punojnë me mjetet e tyre personale dhe pa mbështetjen e nevojshme për kërkimin shkencor.

“Edhe pas gati 30 vitesh në arsim, pajisjet që përdor për punën time i kam blerë vetë. Kjo është situata me të cilën përballen shumë pedagogë në Shqipëri”, deklaroi ajo.

Sula u ndal edhe te tregu i punës, duke argumentuar se pagat e ulëta dhe mungesa e mundësive profesionale po i shtyjnë të rinjtë të largohen.

“Punësimi është i vështirë, pagat janë qesharake dhe poshtëruese. Një çift i ri e ka pothuajse të pamundur të ndërtojë jetën e tij dhe të sigurojë një banesë me të ardhurat që ofron tregu shqiptar”, tha ajo.

Në fund, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD e cilësoi situatën si një sfidë madhore kombëtare, duke paralajmëruar se Shqipëria po humbet çdo vit një pjesë të konsiderueshme të brezit të ri, fenomen që sipas saj po reflektohet tashmë në universitete, ekonomi dhe në vetë strukturën demografike të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related