Kryeministri Edi Rama u ka tërhequr vëmendjen disa kryebashkiakëve socialistë, duke i kritikuar për mungesën e pranisë në komunitetet që drejtojnë dhe kthimin e shpeshtë në Tiranë përpara përfundimit të angazhimeve zyrtare.
Deklarata u bë gjatë një aktiviteti kushtuar përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe sistemimit të rrjeteve kabllore, ku kreu i qeverisë vuri në dukje se disa drejtues vendorë nuk po tregojnë përkushtimin e duhur ndaj detyrës.
Rama solli si shembull ministrin për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, për të cilin tha se, megjithëse banon në Tiranë, ka shërbyer për vite me radhë në qarqe të ndryshme të vendit pa u shkëputur nga përgjegjësitë institucionale.
“Nuk janë të gjithë, por janë disa. Shembulli i ministrit aktual për Pushtetin Vendor duhet të merret parasysh nga disa kryetarë bashkish që sot nuk po i përmend me emër, por herën tjetër do t’i përmend publikisht. Nuk është e pranueshme që të lënë komunitetin dhe detyrën përpara kohe dhe të kthehen në Tiranë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, shqetësime të tilla i janë përcjellë nga vetë qytetarët dhe komunitetet lokale, veçanërisht në zonat e juglindjes së vendit dhe përgjatë aksit Tiranë–Korçë.
Ai sqaroi se kritikat i drejtohen përfaqësuesve të Partisë Socialiste në pushtetin vendor dhe jo kryebashkiakëve të opozitës, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe angazhim në terren.
Rama paralajmëroi se, nëse situata nuk ndryshon, do të bëjë publike emrat e drejtuesve vendorë që sipas tij nuk po përmbushin siç duhet detyrimet ndaj qytetarëve.
