Dosja “Partizani”, seanca e radhës më 6 korrik; SPAK thërret si dëshmitar Gazmend Oketën

Data

Gjykimi për dosjen “Partizani” do të vijojë më 6 korrik, me seancën e radhës të planifikuar të zhvillohet në orën 10:00.

Sipas informacioneve nga procesi gjyqësor, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur si dëshmitar ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ish-zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa.

Procesi vijon me dëgjimin e ish-zyrtarëve dhe personave që kanë pasur role institucionale në periudhën kur janë ndërmarrë procedurat që lidhen me kompleksin sportiv “Partizani”.

Më herët në këtë proces ka dëshmuar edhe ish-ministri Genc Ruli, ndërsa në seancën e sotme u dëgjua ish-ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.

Gjatë dëshmisë së tij, Pango deklaroi se një pjesë e ambienteve të ish-Klubit Shumësportësh Partizani kanë qenë të zaptuara në periudhën për të cilën po pyetet nga prokuroria. Ai theksoi gjithashtu se, për shkak të kohës së kaluar dhe volumit të madh të dokumentacionit që administronte si ministër, nuk mban mend detaje konkrete për një sërë procedurash të asaj periudhe.

Sipas Pangos, gjatë mandatit të tij prioritetet kryesore institucionale kanë qenë turizmi dhe trashëgimia kulturore, ndërsa sektori i sporteve gëzonte një nivel më të lartë autonomie administrative.

Dosja “Partizani” është një nga çështjet më të rëndësishme që po ndiqet nga SPAK. Në këtë proces, ish-kryeministri Sali Berisha përballet me akuzën e korrupsionit, ndërsa Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash.

Të pandehurit kanë mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga palët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related