Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit që pasuan protestën e zhvilluar në Tiranë dhe debatet e krijuara rreth organizimit të saj.
Përmes një postimi në Facebook, Rama publikoi një fotografi të një deklarate që i atribuohet një prej organizatorëve të protestës, ku pretendohet se në tubim kanë qenë të infiltruar persona nga grupe serbe dhe greke, të cilët, sipas deklaratës së cituar, do të identifikohen me emra.
Duke komentuar me tone ironike situatën, kreu i qeverisë la të kuptohet se zhvillimet e fundit po nxjerrin në pah, sipas tij, kontradikta dhe probleme brenda vetë protestës.
“Ouuu….. Po ky vetë? Avash avash, të gjithë do dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, shkroi Rama në postimin e tij.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat qytetare kanë vijuar për disa javë radhazi në kryeqytet, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë ngritur akuza ndaj qeverisë për çështje të ndryshme që lidhen me qeverisjen dhe jetën publike.
Deklarata e Ramës ka ngjallur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, mes mbështetësve dhe kritikëve të protestës, duke shtuar debatin politik rreth zhvillimeve të fundit.
