Deputetja e PS, Sara Mila: Respektojmë protestën, por nuk diskutohet dorëheqja e Ramës apo zgjedhjet e parakohshme

Data

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, deklaroi se protesta e zhvilluar në Tiranë ishte pjesë e diskutimeve në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, por theksoi se në asnjë moment nuk është konsideruar dorëheqja e kryeministrit Edi Rama apo zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.

E ftuar në një studio televizive, Mila u shpreh se mazhoranca respekton të drejtën e protestës dhe lirinë e shprehjes, duke vlerësuar pjesëmarrjen qytetare si pjesë të funksionimit demokratik të vendit.

Sipas saj, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, e drejtuar nga Taulant Balla, deputetët zhvilluan diskutime të hapura mbi çështje të ndryshme, përfshirë edhe protestën që po zhvillohej paralelisht në kryeqytet.

“Respektojmë protestën dhe çmojmë shumë lirinë e fjalës dhe veprimit. Megjithatë, nuk e shohim dorëheqjen apo zgjedhjet e parakohshme si një opsion”, u shpreh ajo.

Deputetja socialiste argumentoi se qeveria është e fokusuar te procesi i integrimit europian dhe negociatat me Bashkimi Europian, duke kujtuar se mazhoranca ka marrë mandatin e qytetarëve për të vijuar këtë rrugëtim.

Mila theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të negociatave dhe se objektivi i qeverisë mbetet përmbyllja e kapitujve kryesorë të anëtarësimit brenda afateve të përcaktuara.

Duke komentuar edhe kundërshtimet e ngritura për projektet në zonën e Zvërnecit, ajo deklaroi se kryeministri ka zhvilluar komunikime publike me banorët dhe se qeveria ka treguar gatishmëri për dialog. Sipas saj, megjithëse skepticizmi i qytetarëve është i kuptueshëm, ekzekutivi mbetet i angazhuar për të vijuar komunikimin me komunitetet e prekura nga projektet zhvillimore.

Në përfundim, Mila nënvizoi se prioriteti i mazhorancës mbetet vijimi i reformave dhe procesit të integrimit europian, duke përjashtuar çdo skenar për ndërprerjen e mandatit aktual qeverisës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related