Operatorët e transportit interurban në Elbasan po përballen me vështirësi serioze për shkak të rritjes së çmimit të naftës, duke paralajmëruar rritje të çmimeve të biletave.
Sipas tyre, sektori ndodhet pranë falimentimit dhe pa ndërhyrje mbështetëse nga shteti, situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Disa linja kanë reduktuar aktivitetin, duke operuar me më pak mjete për shkak të kostove të larta.
Aktualisht bileta në disa linja kushton rreth 150 lekë, por drejtuesit paralajmërojnë se kjo mund të ndryshojë, edhe pse janë të vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike të qytetarëve.
Ndërkohë, përdoruesit e transportit publik shprehen se një rritje e mëtejshme e çmimeve do të jetë e papërballueshme, duke shtuar presionin mbi familjet që tashmë përballen me kosto të larta jetese.
Në disa zona të vendit, çmimet e biletave kanë nisur të rriten menjëherë pas shtrenjtimit të karburantit, duke sinjalizuar një trend në përhapje.
