Berisha: PD nuk votoi amnistinë penale, amendamentet synonin ndërprerjen e proceseve gjyqësore

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpjeguar arsyet pse opozita nuk votoi projektligjin për amnistinë penale, i cili u miratua në Kuvend me 84 vota pro.

Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se Partia Demokratike kundërshton praktikën e amnistive të shpeshta, duke argumentuar se ato duhet të jenë të rralla dhe të lidhura me momente të veçanta historike.

“Amnistia është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit, por duhet të ushtrohet pa abuzime. Ne nuk jemi dakord me amnistitë e përvitshme”, tha ai.

Sipas Berishës, një nga arsyet kryesore të mosmbështetjes së projektligjit ishte përmbajtja e disa amendamenteve që, sipas tij, synonin ndërprerjen e proceseve gjyqësore në zhvillim.

Ai pretendoi se këto dispozita mund të kishin ndikim edhe në çështje që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe persona të tjerë që përballen me procese gjyqësore.

“Ata sollën amendamente me të cilat donin të ndërprisnin proceset gjyqësore. Kjo kishte të qartë Belinda Ballukun dhe të tjerë. Ne nuk mund ta aprovojmë kurrë një gjë të tillë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu përfshirjen në skemën e amnistisë të personave të dënuar për korrupsion, duke argumentuar se kjo cenon luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Sipas tij, ekspertët juridikë të opozitës kanë konstatuar gjithashtu se procedurat e parashikuara në ligj kërkojnë kalimin e shumë rasteve në Gjykatën e Apelit, gjë që, sipas Berishës, mund të krijojë hapësira për abuzime.

“Specialistët tanë konstatuan se shumica e atyre që përfitojnë duhet të kalojnë nga Gjykata e Apelit. Kjo e shndërron amnistinë në një proces që mund të përdoret për qëllime të mbrapshta”, deklaroi ai.

Amnistia penale e miratuar nga Kuvendi parashikon lirime dhe ulje dënimesh për kategori të caktuara të të dënuarve, ndërsa përjashton persona të dënuar për vepra si terrorizmi, trafikimi, krimet seksuale dhe korrupsioni i nivelit të lartë.

Mazhoranca e ka mbrojtur nismën si një masë me karakter social dhe human, ndërsa opozita ka shprehur kundërshtimet e saj për përmbajtjen dhe mënyrën e hartimit të ligjit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related