Protestuesit që prej 18 ditësh po zhvillojnë tubime të përditshme në Tiranë vijuan edhe këtë mbrëmje marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, pasi qëndruan për disa orë para godinës së Kryeministrisë.
Gjatë kalimit në Bulevardin “Gjergj Fishta”, pjesëmarrësit lëshuan thirrje kundër qeverisë dhe strukturave që ata i konsiderojnë pjesë të mekanizmave të kontrollit politik. Mes sloganeve më të dëgjuara ishin “Poshtë patronazhistët!” dhe thirrje të tjera kritike ndaj qeverisjes aktuale.
Pamjet nga marshimi treguan një pjesëmarrje të konsiderueshme qytetarësh, të cilët vijuan lëvizjen në grup përgjatë akseve kryesore të Tiranës, duke përsëritur kërkesat e tyre politike dhe qytetare.
Protesta e sotme shënon ditën e 18-të radhazi të mobilizimit qytetar, i cili ka nisur fillimisht si reagim ndaj çështjeve mjedisore dhe më pas është zgjeruar duke përfshirë kërkesa për përgjegjësi politike, transparencë dhe ndryshime në qeverisje.
Organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke theksuar se lëvizja do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të saj.
