Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar lidhur me deklaratat publike të deputetes Marjana Koçeku, e cila pretendoi se familja e saj është kërcënuar nga grupi kriminal i Bajrave.
I pyetur nga gazetarët mbi këtë çështje, Hita u shpreh se deri në këto momente nuk është depozituar asnjë kallëzim zyrtar në polici nga deputetja, por theksoi se institucionet ligjzbatuese kanë detyrimin të garantojnë sigurinë e çdo qytetari.
“Policia është në mbrojtje të jetës së çdo personi. Është detyrim ligjor të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve. Në bazë të kërcënimit dhe rrezikut do të bëhet edhe vlerësimi i masave të mbrojtjes. Por denoncim konkret nuk ka në polici”, deklaroi Hita.
Deklarata vjen pas reagimit publik të Koçekut në rrjetet sociale, ku ajo paralajmëroi se do të mbante përgjegjës grupin e Bajrave nëse familjes së saj do t’i ndodhte diçka.
Çështja ka ngjallur reagime politike, ndërsa përfaqësues të opozitës kanë kërkuar hetim të menjëhershëm të pretendimeve të deputetes dhe ndërhyrje të institucioneve për të garantuar sigurinë e saj dhe të familjarëve.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk ka bërë të ditur nëse ka nisur verifikime kryesisht mbi bazën e deklaratave publike, por ka ritheksuar se çdo informacion që lidhet me kërcënime ndaj jetës dhe sigurisë së qytetarëve trajtohet sipas procedurave ligjore.
Deklarata e kreut të Policisë së Shtetit vjen në një moment të ndjeshëm politik, pas largimit të Marjana Koçekut nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe debateve të shumta që kanë pasuar këtë vendim.
