Partia e Lirisë ka shprehur mbështetjen e saj për kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga të rinjtë që prej më shumë se dy javësh po marrin pjesë në protestat e zhvilluara në kryeqytet.
Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI), Anisa Ibraj, theksoi se të rinjtë po ngrejnë zërin për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e tyre, duke kërkuar më shumë mundësi për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional në Shqipëri.
Sipas saj, protestat kanë sjellë në qendër të vëmendjes problematika që prekin brezin e ri dhe që kërkojnë zgjidhje konkrete, përtej debateve politike.
“Partia e Lirisë i konsideron legjitime shqetësimet dhe kërkesat e ngritura nga të rinjtë, pasi ato lidhen me të drejtën për arsim cilësor, mundësi të barabarta, punësim dinjitoz dhe perspektivë për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri”, u shpreh Ibraj.
Ajo prezantoi gjithashtu disa nga prioritetet që, sipas Partisë së Lirisë, synojnë përmirësimin e kushteve për të rinjtë. Mes tyre përfshihen zgjerimi i mbështetjes financiare për studentët ekselentë, ulja e kostove të studimit dhe jetesës, forcimi i praktikave profesionale gjatë studimeve, subvencionimi i punësimit të të rinjve deri në moshën 29-vjeçare, si dhe mbështetja për sipërmarrjen rinore dhe inovacionin.
Sipas përfaqësueses së LRI-së, të rinjtë nuk kanë nevojë për premtime të përgjithshme, por për politika konkrete që krijojnë mundësi reale për zhvillim dhe integrim në tregun e punës.
“Ne jemi të bindur se të rinjtë nuk kanë nevojë për premtime të përgjithshme, por për politika që krijojnë mundësi reale për arsimim cilësor, punësim dinjitoz dhe një të ardhme në Shqipëri”, deklaroi ajo.
Partia e Lirisë theksoi se do të vijojë të mbështesë kërkesat e rinisë dhe të promovojë politika që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimit profesional të të rinjve shqiptarë.
