Gjatë një debati në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman Sebastian Everding ka folur për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke i lidhur ato me mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe kërkesat qytetare për llogaridhënie.
Në fjalën e tij, Everding u ndal te protestat kundër zhvillimeve të debatueshme në zonat e mbrojtura, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore dhe të habitateve të rralla në Shqipëri.
“Mijëra njerëz në Shqipëri dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur Lagunën e Nartës. Ata po luftojnë për një nga zonat më të rëndësishme ligatinore të rajonit të Mesdheut, një habitat për mijëra flamingo dhe specie të tjera të rralla”, deklaroi eurodeputeti.
Sipas tij, ajo që është quajtur nga disa aktivistë si “Revolucioni i Flamingove” përfaqëson më shumë sesa një lëvizje mjedisore, duke u kthyer në një simbol të kërkesave qytetare për transparencë dhe mbrojtje të interesit publik.
Everding vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve në protesta dhe tha se ata po japin një mesazh të qartë për të ardhmen e vendit.
“Populli shqiptar po tregon guxim. Ai po ngre zërin për transparencën, për mbrojtjen e mjedisit dhe për një të ardhme që nuk duhet të përcaktohet vetëm nga interesat e pak individëve përfitues”, u shpreh ai.
Eurodeputeti theksoi gjithashtu se korrupsioni dhe mungesa e transparencës mund të cenojnë jo vetëm mjedisin, por edhe funksionimin e demokracisë dhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
“Aty ku korrupsioni ndikon në vendimmarrjet politike, vihen nën presion demokracia, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e natyrës. Kush shpërfill interesat e qytetarëve dhe dëmton mjedisin, rrezikon edhe besimin në rrugën evropiane të Shqipërisë”, deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Everding nënvizoi se vlerat evropiane mbështeten te shteti i së drejtës, transparenca dhe mbrojtja e komuniteteve, duke shtuar se këto parime duhet të mbeten në qendër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
