Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i ka dërguar një letër Ministres së Arsimit, duke kërkuar marrjen e masave informuese në institucionet arsimore lidhur me rrezikun e shpërndarjes së lëndëve narkotike në formë xheli dhe karamelesh.
Sipas Policisë së Shtetit, autoritetet kanë evidentuar raste që tregojnë praninë e produkteve që përmbajnë substanca narkotike dhe që, për shkak të pamjes së tyre, mund të ngatërrohen lehtësisht me ëmbëlsira të zakonshme.
Në letrën drejtuar Ministrisë së Arsimit theksohet se ngjashmëria e këtyre produkteve me karamelet e bën të vështirë identifikimin e tyre me sy të lirë dhe rrit ndjeshëm rrezikun e konsumimit aksidental nga të miturit.
Policia paralajmëron se përqendrimi i lartë i THC-së, substanca kryesore psikoaktive që gjendet në kanabis, mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, duke përfshirë efekte toksike akute, çrregullime neurologjike dhe reaksione të rënda psikoaktive, veçanërisht tek fëmijët dhe grupet më të ndjeshme.
Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka kërkuar që institucionet arsimore të angazhohen në informimin e stafit pedagogjik, nxënësve dhe prindërve për rreziqet që paraqesin këto produkte.
Qëllimi i kësaj nisme është rritja e ndërgjegjësimit në shkolla dhe parandalimi i rasteve të mundshme të ekspozimit apo konsumimit të substancave narkotike nga fëmijët dhe adoleshentët.
Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar nga prindërit, mësuesit dhe institucionet arsimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për mbrojtjen e të miturve nga rreziqe të tilla.
