Klodian Braho: Pasuritë e krimit të organizuar duhet të konfiskohen dhe të përdoren në interes të shtetit

Data

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, ka reaguar pas operacionit të fundit kundër trafikimit ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, gjatë të cilit u sekuestruan pasuri me vlerë të përafërt prej 150 milionë eurosh.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Braho theksoi se lufta kundër krimit të organizuar nuk kufizohet vetëm te goditja e rrjeteve kriminale, por edhe te konfiskimi i pasurive që burojnë nga aktivitetet e paligjshme.

Sipas tij, pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, cenojnë konkurrencën e ndershme dhe fuqizojnë grupet kriminale duke financuar aktivitetet e tyre të paligjshme.

“Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë dhe veprimtarinë e bizneseve që operojnë në mënyrë të ndershme. Ato rrisin fuqinë ekonomike të krimit të organizuar dhe përdoren për të financuar veprimtari të tjera kriminale”, thuhet në reagimin e tij.

Braho nënvizoi se këto pasuri duhet të sekuestrohen dhe konfiskohen, duke kaluar në favor të shtetit për t’u përdorur për qëllime të ligjshme dhe në interes të publikut.

Ai garantoi gjithashtu se SPAK vepron vetëm mbi pasuritë që dyshohet se kanë origjinë kriminale ose lidhen me veprimtari të paligjshme, duke respektuar të drejtat e pronësisë së individëve dhe subjekteve që kanë krijuar pasuritë e tyre në mënyrë të ligjshme.

“SPAK garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe pasuritë që lidhen me veprimtarinë kriminale. Në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronësisë së personave fizikë apo juridikë që investojnë mjete dhe pasuri të fituara në mënyrë të ligjshme”, theksoi Braho.

Reagimi vjen pas operacionit të fundit të SPAK, ku u godit një grup i dyshuar kriminal i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në kuadër të hetimeve u ekzekutuan masa sigurie ndaj 10 personave dhe u vendos sekuestro mbi 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përgjithshme rreth 150 milionë euro.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related