Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku shfaqen të mitur duke punuar në një kantier ndërtimi, duke e cilësuar situatën si një shkelje të rëndë të ligjit dhe të të drejtave të fëmijëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho u shpreh se përdorimi i fëmijëve në punë të vështira, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.
“Është i patolerueshëm dhe në shkelje të të gjitha ligjeve shfrytëzimi i fëmijëve në punë të vështira, në kulmin e vapës. Akoma më i turpshëm është përdorimi i tyre për propagandë dhe krahasimi i tyre me të rinjtë që protestojnë,” deklaroi deputetja.
Sipas Xhixhos, ligji shqiptar ndalon qartë punësimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve nën moshën 16-vjeçare, ndërsa shtoi se raste të tilla tregojnë se disa individë ndihen të paprekshëm për shkak të mbështetjes që gëzojnë nga pushteti.
Deputetja e Partisë së Lirisë argumentoi se kjo është një nga arsyet kryesore pse mijëra qytetarë po protestojnë prej ditësh në vend, duke kërkuar respektimin e ligjit dhe barazi përpara tij.
“Arroganca e pushtetit është aq e madhe sa ata që ndihen të mbrojtur prej tij arrijnë deri aty sa të paraqesin si model shkeljen e ligjit. Modeli i nënshtrimit ndaj më të fortit duhet të marrë fund,” theksoi ajo.
Në përfundim, Xhixho e cilësoi videon e publikuar si një shembull të qartë të problemeve që, sipas saj, kanë nxitur protestat qytetare, duke shtuar se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për tolerimin e fenomeneve të tilla.
