Deputetja Marjana Koçeku, e njohur publikisht si “Neo Malësorja”, ka vijuar përplasjen politike me Partinë Socialiste pas vendimit të saj për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku iu përgjigj kritikave të ardhura nga eksponentë socialistë, të cilët kanë kërkuar dorëzimin e mandatit të deputetes pas largimit nga grupi parlamentar.
Sipas saj, mandati nuk i është dhuruar nga partia, por përfaqëson besimin e qytetarëve. Ajo deklaroi se për muaj me radhë nuk ka pasur mundësi të ushtrojë plotësisht rolin e saj politik dhe se tashmë mandati është kthyer “në vendin e vet”.
Në të njëjtin reagim, Koçeku sfidoi kryeministrin Edi Rama dhe shumicën parlamentare që, nëse janë të bindur për mbështetjen e tyre politike dhe për forcën e shumicës prej 83 mandatesh, të shpërndajnë Parlamentin dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
“Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka”, shkruan deputetja.
Koçeku la të kuptohet gjithashtu se në një garë të mundshme elektorale do të kandidonte në Tiranë, duke përdorur një gjuhë simbolike dhe ironike, karakteristike për komunikimet e saj publike.
Largimi i saj nga grupi parlamentar socialist ka shkaktuar debat të gjerë politik. Ndërsa një pjesë e opinionit publik e ka përshëndetur vendimin si një akt pavarësie politike, zyrtarë dhe mbështetës të Partisë Socialiste argumentojnë se mandati është fituar falë renditjes në listën e mbyllur të PS-së dhe se, për rrjedhojë, deputetja duhet ta dorëzojë atë.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga kryeministri Edi Rama lidhur me sfidën e bërë publike nga Koçeku.
