PD paralajmëron padi ndaj Gjergj Lucës: Po punësohen të mitur në kundërshtim me ligjin

Data

Partia Demokratike ka njoftuar se do të depozitojë kallëzim penal në Prokurori ndaj biznesmenit Gjergj Luca, pas publikimit të një videoje ku shfaqen të mitur duke punuar në një kantier ndërtimi.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, akuzoi Lucën për shkelje të legjislacionit të punës dhe përdorim të të miturve në aktivitete që, sipas opozitës, bien ndesh me ligjin dhe standardet e mbrojtjes së fëmijëve.

Sipas PD-së, në pamjet e publikuara shihen fëmijë të moshës 14 dhe 15 vjeç që punojnë në një kantier ndërtimi të lidhur me një ndërmarrje të biznesmenit, ndërsa videoja përdoret edhe për qëllime propagandistike.

“Fëmijët po përdoren jo vetëm në shkelje të ligjit dhe në kushte të papërshtatshme pune, por edhe si instrument propagande politike. Kjo është e papranueshme dhe kërkon reagim institucional”, deklaroi Garo.

Partia Demokratike theksoi se nuk do të mjaftohet vetëm me denoncimin publik të rastit, por do të ndjekë rrugën ligjore për të kërkuar hetimin e plotë të çështjes.

“Do të paraqesim padi në Prokurori për shkelje të ligjit dhe punësim të minorenëve. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe çdo rast i shfrytëzimit të fëmijëve duhet të hetohet deri në fund”, thuhet në reagimin e opozitës.

PD e lidhi këtë rast edhe me protestat qytetare që po zhvillohen prej javësh në Tiranë dhe qytete të tjera, duke argumentuar se raste të tilla përforcojnë kërkesat për më shumë llogaridhënie dhe respektim të ligjit nga të gjithë.

Sipas demokratëve, përdorimi i të miturve në punë të rënda dhe shfrytëzimi i tyre për mesazhe politike përbën një shkelje serioze që kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të organeve të drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related