Rama: Kërcënimet dhe bullizmi ndaj kundërshtarëve janë shfaqje e frymës fashiste

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen prej 15 ditësh, duke kritikuar ashpër sjelljet që, sipas tij, synojnë të frikësojnë ose të heshtin ata që kanë mendime të ndryshme.

Në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se protesta është një e drejtë demokratike, por theksoi se askush nuk duhet t’u imponojë të tjerëve bindjet e veta përmes presionit, kërcënimeve apo bullizmit.

Sipas tij, fryma fashiste nuk shfaqet domosdoshmërisht me uniforma apo dhunë fizike, por edhe përmes përjashtimit të mendimeve të ndryshme dhe mohimit të së drejtës së tjetrit për të zgjedhur.

“Fryma fashiste është kur ti thua: ‘Unë dua të flas, dua të protestoj, dua të them atë që mendoj’, por nuk pranon që të tjerët të kenë një opinion tjetër,” u shpreh Rama.

Kryeministri solli si shembuj sloganet nacionaliste që, sipas tij, kanë prodhuar pasoja negative në vende të ndryshme evropiane, duke përmendur edhe lëvizje ekstremiste në vende të tjera.

Ai theksoi se është e papranueshme që individë apo grupe të ushtrojnë presion ndaj qytetarëve, artistëve apo figurave publike që nuk ndajnë të njëjtat qëndrime politike.

“Është e patolerueshme që një grup njerëzish t’i thotë pjesës tjetër të shoqërisë: ‘O do mendosh si ne, o do të të bullizojmë dhe kërcënojmë’. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe duhet ndalur,” deklaroi Rama.

Në fund të reagimit të tij, ai bëri thirrje për respektimin e pluralizmit të mendimeve dhe për mosdorëzim përballë presioneve që, sipas tij, cenojnë liritë themelore të një shoqërie demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related