Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat e vazhdueshme po kanë në sektorin e turizmit, duke paralajmëruar se anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj po përkthehen në humbje të drejtpërdrejta për ekonominë vendase.
Në hyrje të podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se ka marrë një numër të madh mesazhesh nga operatorë turistikë në zona të ndryshme të vendit, veçanërisht në Vlorë dhe Durrës, të cilët raportojnë anulime rezervimesh për sezonin veror.
Sipas tij, situata rrezikon të godasë bizneset e turizmit, ekonomitë familjare dhe të ardhurat kombëtare që varen nga një sezon i suksesshëm turistik.
“Një simptomë shumë problematike që po forcohet dita-ditës janë anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj. Kjo përkthehet në dëm të drejtpërdrejtë për ekonominë familjare, ekonominë lokale dhe ekonominë kombëtare,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se shumica e operatorëve turistikë në Vlorë janë shprehur të shqetësuar për ndikimin që tensioni politik dhe protestat mund të kenë në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Ai paralajmëroi se nëse trendi i anulimeve vazhdon, sezoni veror mund të mos arrijë pritshmëritë rekord që ishin parashikuar për këtë vit.
Rama kritikoi gjithashtu atë që e quajti presion dhe bullizëm ndaj personave publikë apo qytetarëve që nuk mbështesin protestat, duke përmendur rastin e këngëtarit Ylli Limani, për të cilin tha se është sulmuar në rrjetet sociale për shkak të koncertit të tij në Tiranë.
Sipas kryeministrit, protesta përfshin individë me shqetësime të sinqerta, por ai pretendoi se brenda saj ekzistojnë edhe elementë që synojnë bllokimin e zhvillimit ekonomik dhe imponimin e mendimeve ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.
Në përfundim, Rama theksoi se zhvillimi ekonomik dhe turizmi janë interesa kombëtare që nuk duhet të dëmtohen nga përplasjet politike, duke bërë thirrje për ruajtjen e klimës së qetësisë dhe respektimin e mendimeve të ndryshme në një shoqëri demokratike.
