Edi Rama akuzon demokratët dhe Sorosin për protestat, kryeministri kërkon falje për abuzimet e qeverisë

Data

Në një atmosferë dramatike të denjë për filmat e Hollywood-it, vetëm disa qindra metra larg protestës masive që kërkon rrëzimin e tij, kryeministri Edi Rama ka lëshuar dje akuza bombastike që po tronditin mbarë opinionin publik. Gjatë një fjalimi maratonë prej 60 minutash në festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama bëri një kthesë historike duke kërkuar falje publike për abuzimet e qeverisë së tij, por pa lëshuar pe në vizionin e tij absolut. Kryeministri deklaroi me tone të ashpra se Shqipëria nuk ka qenë kurrë në shitje dhe asnjëherë nuk do të përulet para askujt. Ai sulmoi ashpër protestuesit, duke i cilësuar si pre e një “apokalipsi digjital” dhe manipulimesh monstruoze lidhur me projektin e Zvërnecit.

“Ju thoni nuk ka negociata, unë nuk kam dot asnjë negociatë për të bërë me ju, sepse nuk negocioj dot vizionin,” deklaroi prerazi Rama, duke garantuar se Zvërneci do të jetë “xhevahiri” i turizmit mesdhetar. Në mes të një tensioni të lartë, shefi i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve që t’i ikin “hienave” politike të opozitës dhe partive të reja që sipas tij po zbythin e po derdhin në bulevard “prurjet e kënetës”. Por deklarata që bëri xhiron e rrjetit lidhej me teoritë e forta të ndikimit ndërkombëtar, ku Rama zbuloi se pas këtyre trazirave fshihet një agjendë sekrete për të goditur vetë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sikundër janë sorosistët.  Sipas tij, po luhet një lojë e rrezikshme ku po përdoren gurë deri nga Kosova e Tetova, ndërsa akuzoi drejtpërdrejt Iranin zyrtar se po shkruan shqip “Rama ik” nëpër rrjete digjitale për të bërë çorap vendin. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai drejtoi gishtin edhe nga lobet e fuqishme të turizmit në Greqi, të cilët sipas tij po hidhen përpjetë nga konkurrenca e ashpër që do t’u bëjë Shqipëria. Ky fjalim epik, i ndërthurur me kujtimin e liderit historik Fatos Nano, ka ndezur përfundimisht gjakrat në vend, duke e çuar përplasjen politike në nivele të rrezikshme. Më poshtë pjesë nga deklarata e Ramës.

Kryeministri mesazh protestuesve

“Ejani t’i verifikoni vet faktet, të shikoni provat dhe të ndiheni të lehtësuar dhe krenarë për sesi institucionet tona kanë përfaqësuar proceset për Sazanin dhe Zvërnecin. Ejani të shikoni me sytë tuaj që nuk ka asnjë status për investitor strategjik, ejani të dëgjoni me veshët tuaj sesi për Sazanin nuk ka as sot një marrëveshje, por një negociatë të zgjatur. Po zgjatet sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, sado miq të mirë të Shqipërisë të jenë. Në emër të atyre interesave, ne kemi bërë të qartë në tryezë se ishulli nuk shitet dhe ishulli nuk jepet me qira. Ishulli është dhe mbetet pronë e shtetit shqiptar. Ndërkohë, që shteti kërkon të marrë pjesë si partner në investim dhe kërkon pjesë nga fitimi i investimit për popullin shqiptar.

Unë nuk kam asnjë negociatë për të bërë me ju, sepse nuk negociojë programin me ata që më kanë votuar. Për sa i takon kësaj teme, unë jam në dispozicion në çdo kohë, mbi mënyrën sesi duhet të harmonizojmë mbrojtjen e natyrës me zhvillimin e turizmit. Për fatin e zhvillimit në Zvërnec, atë do e vendosë vetëm cilësia e projektit dhe ambicia e zhvillimit të investitorëve. Ikjuni hienave që ju rrinë rrotull, sepse ju do të jeni të parët që do mbyteni nga jargët që kërkojnë pushtet dhe i fshehin nën qeleshet që vënë në kokë dhe flamujt që lidhin në qafë. Ju që jeni sinqerisht të lidhur me mjedisin dhe natyrën, mos ngatërroni orientimin nga vjen rreziku dhe ejani bashkohuni me Partinë Socialiste, e cila ka shumë nevojë për këdo që nuk bie dakord me çfarë nuk shkon. Unë jam shumë i qartë që tanimë një protestë e nisur për natyrën është kthyer në një protestë me natyrë politike, absolutisht legjitime, për këdo që do të ndryshojë të ardhmen e tij”, deklaroi ndër të tjera Rama.

Rama thumbon senatorin amerikan

“Çdo investim, çdo projekt, çdo vepër dënohet përpara se sa e deri të projektohet, vetëm sa thuhet, vetëm sa shfaqet, vetëm sa artikulohet. Çdo përpjekje për zhvillim konsiderohet automatikisht armike e natyrës, por natyra nuk mbrohet duke e ngrirë jetën. Natyra nuk mbrohet duke e lënë një vend të varfër, as duke i kërkuar një vendi që ta pranojë varfërinë e vet si një arsye për ata që na thonë: “mbrojeni Vjosën, Lumi i fundit i egër i Europës” dhe ndërkohë i kanë “zbutur” të gjithë lumenjtë e tyre. Natyra nuk mbrohet që peizazhi të mbetet i paprekur vetëm nga mungesa e njerëzve. Sfida jonë, sfida e kohës nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, sfida jonë është të mësojmë si t’i bëjmë të dyja bashkë, të mbrojmë natyrën duke krijuar mirëqenie, të krijojmë mirëqenie, duke respektuar natyrën, të ndërtojmë pa shkatërruar, të zhvillojmë, duke ruajtur dhe rigjeneruar, të rrisim ekonominë, duke rritur njëkohësisht përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe trashëgimisë së natyrës dhe historisë që ia kemi borxh fëmijëve tanë. Sepse ne nuk jemi budallai i lagjes.

Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen dhe ajo që sot i duhet shtuar këtyre të gjithave është guximi për të ëndërruar më fort, është guximi për të guxuar më shumë dhe është kurajo për të përballuar prurje të tilla investimesh me të cilat ne nuk jemi mësuar. Tani a ka njeri këtu dhe a ka shqiptar që mendon me mendjen e vet që nuk e ka kuptuar akoma që gjithë kjo lemeri në gjuhë të huaja, në mbështetje të protestës, është projektimi i një lufte politike që nuk është lufta jonë, i një lufte ideologjike që nuk është lufta e Shqipërisë, i një përplasje mes të mëdhenj që nuk është fare puna jonë. Nëse do të ishte bota kaq e ndjeshme dhe nëse deri dhe senatorët e mirënjohur amerikanë do kishin në zemër zogjtë dhe plazhet e Shqipërisë do kishin thënë ndonjë fjalë për Rrjollin apo jo? Asnjë fjalë! Këtu fjala nuk është për Zvërnecin, këtu fjala nuk është për flamingot, këtu fjala nuk është për turizmin, këtu fjala nuk është për mjedisin, këtu fjala është për Presidentin e Shteteve të Bashkuara.  Tani kanë çfarë kanë të tjerët me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, nuk mund ta importojnë në Shqipëri dhe mbi të gjitha nuk mund të përdorin shqiptarët si mish për top. Nuk mund t’i përdorin shqiptarët që shqiptarët t’i dalin kundër vetes, t’i dalin kundër të ardhmes, t’i dalin kundër rrugëve të rritjes mirëqenies. “Nuk duam ne turizëm elitar, se turizmi elitar nuk është për ne, se turizmi elitar është për ata që kanë shumë lekë dhe ne nuk shkojmë dot të kemi akses në këto resorte”. E kundërta është e vërtetë!

Ne na duhet sa më shumë turizëm elitar, sepse çdo lekë që vjen është gati dyfishi, për çdo lek që vjen, për çdo euro që vjen, është gati 2 euro ajo që futet në ekonominë e komunitetit dhe të vendit, sepse ata që vijnë në këto zhvillime vijnë me shumë para dhe sjellin pak trafik, sjellin pak mbetje, sjellin pak stres të përgjithshëm. Turizmi i masës ka qenë i shkëlqyer sepse është bërë ambasadori i jashtëzakonshëm i një Shqipërie që sot flitet në të gjitha gjuhët e botës, por Shqipëria nuk mund të mbetet me turizmin e masës dhe Shqipëria nuk mund të mbetet mbrapa as Greqisë e jo më Malit të Zi dhe të tjerëve dhe Shqipëria nuk është e thirrur të shpiki rrotën, por Shqipëria është e thirrur vetëm që të hapi portën. Shqipëria është vendi që ka disa bekime. Bekime që i detyrohen të parëve tanë. I detyrohet të parëve tanë bekimi i mikpritjes, i besës, i shtëpisë së shqiptarit që është e Zotit dhe e mikut. I detyrohet gjyshërve tanë bekimi i një vendi kaq të vogël mbase shumë herë më i varfër se vendi më i varfër i Europës në Luftën e Dytë Botërore, i cili u bë fari, fari që shkëlqeu në atë errësirë ku vende shumë më të mëdha, shumë më të pasura i dorëzuan hebrenjtë. Gjyshërit tanë nuk e bënë këtë dhe historia e shqiptarëve është historia e njerëzve që përtej feve kanë Zot respektin për tjetrin, respektin për mikun, respektin për atë që është në nevojë, respektin për atë që është në rrezik dhe ishin muslimanët shqiptarë në radhë të parë që u bënë mburoja e hebrenjve dhe kjo është dhe arsyeja sot që Shqipëria duhet ta mbajë me shumë krenari atë lidhje që vjen nga historia dhe atë bekim të qenit vendi ku pavarësisht etnive, pavarësisht feve gjithkush ndjehet në shtëpinë e vet sepse “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Sot ne kemi arritur të jemi miq të shkëlqyer edhe me Izraelin edhe me ata që janë përballë Izraelit me vendet e gjirit, me Arabinë Saudite, me Katarin edhe me Turqinë, ndërkohë që Emiratet janë më pranë Izraelit. Tani çfarë do bëjmë ne? Cili është “djalli” që po tenton të hyjë në mes nesh? Cili është “djalli” që po provon që t’iu lë fëmijëve tanë në kurriz diçka nga e cila ne duhet t’i mbrojmë? Cili është “djalli” që po shfrytëzon një investim për një zhvillim turistik për të shpërndarë një djallëzi të madhe? Sa e gënjeshtërt, aq edhe çuditërisht e thithur nga ata që duan të gjejnë rrugë për urrejtjen. Ç’lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Ç’lidhje ka marrëdhënia me shtetin e Izraelit në një investim ku dy investitorët kryesorë janë dy myslimanë, dy vëllezër bashkëpronarë të njërës prej kompanive më të mëdha të Lindjes së Mesme nga Katari që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin apo se dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara është e hebre. Po pastaj? Kaq budallenj mund të bëhemi ne, sa më falni po të hedhim përpjetë atë që nuk hidhet dhe t’i bëjmë karshillëk dynjasë. Ndërkohë që ne jemi shumë të vegjël për të bërë karshillëqe të tilla dhe duhet të jemi mjaft të mençur që ne të na duan që të gjithë dhe me të gjithë ata që duhet ne t’i kemi marrëdhëniet vëllazërore, miqësore, strategjike”, nënvizoi Rama dje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related