Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kritikoi mazhorancën gjatë seancës parlamentare, duke deklaruar se Kuvendi po shqyrton me procedura të përshpejtuara projektligje që, sipas saj, nuk kanë prioritet publik, ndërsa nuk po trajton një nismë që lidhet me ligjin për zonat e mbrojtura.
Zhupa u shpreh se ekziston një projektligj për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, i depozituar më 14 maj, për të cilin, sipas saj, ende nuk është caktuar një datë shqyrtimi në komisionet parlamentare apo në seancë plenare.
Sipas deputetes demokrate, çështja lidhet drejtpërdrejt me debatet e fundit publike mbi zhvillimin e projekteve turistike në zona të ndjeshme mjedisore, përfshirë edhe zonën e Zvërnecit.
“E kanë trajtuar zhvillimin me konceptin: kur do Rama, kë do Rama, ku do Rama dhe si do Rama. Kjo nuk është Shqipëria që duan shqiptarët. Ju keni një projektligj të datës 14 maj për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura, i cili sipas nesh vjen edhe në frymën e kërkesave të institucioneve evropiane dhe të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët. Është i vetmi projektligj në kalendar që nuk ka një datë të përcaktuar për shqyrtim”, deklaroi Zhupa.
Ajo argumentoi se mbrojtja e zonave natyrore dhe e trashëgimisë mjedisore është një nga kërkesat e ngritura nga protestuesit në ditët e fundit dhe kërkoi që Kuvendi të fokusohet në çështje që, sipas saj, prekin interesin publik.
Deputetja e opozitës e lidhi këtë debat edhe me situatën politike në vend, duke deklaruar se protestat qytetare po shprehin pakënaqësi ndaj qeverisë dhe mënyrës së vendimmarrjes për projekte të mëdha zhvillimore.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka mbrojtur ndryshimet ligjore në fushën e zonave të mbrojtura, duke argumentuar se ato synojnë të krijojnë mundësi për investime dhe zhvillim ekonomik, pa cenuar standardet e mbrojtjes së mjedisit.
Debati mbi ligjin e zonave të mbrojtura mbetet një nga temat më të diskutueshme në politikën shqiptare, veçanërisht në kontekstin e projekteve të propozuara për zhvillim turistik në zona me vlera të veçanta natyrore.
