Ish-drejtuesi i Departamentit “Brain Gain” në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj, ka deklaruar se largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria është një nga pasojat më të rënda të qeverisjes së Rilindjes, duke paralajmëruar pasoja të rënda demografike dhe ekonomike për vendin.
Gjatë një interviste televizive, Mustafaj u shpreh se eksodi i të rinjve nuk është një fenomen i rastësishëm, por rezultat i politikave që, sipas tij, kanë krijuar pasiguri dhe mungesë perspektive në vend.
Sipas tij, rinia shqiptare përbën sfidën më të madhe për pushtetin aktual.
“Rinia shqiptare e tremb jashtë mase Edi Ramën, sepse ka potencialin për të sfiduar dhe ndryshuar realitetin politik. Të rinjtë që largohen janë shpesh më rebelët, më të guximshmit dhe ata që nuk pranojnë të pajtohen me padrejtësitë”, deklaroi Mustafaj.
Ai shtoi se qeveria përfiton politikisht nga emigrimi masiv, pasi largohen qytetarët më kritikë ndaj pushtetit, ndërsa remitancat e emigrantëve vazhdojnë të mbështesin ekonominë familjare në Shqipëri.
Mustafaj theksoi se zgjidhja nuk qëndron vetëm tek kthimi fizik i emigrantëve, por tek krijimi i kushteve që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri, përmes punësimit, meritokracisë dhe mundësive për zhvillim.
Ai vlerësoi gjithashtu protestat e fundit qytetare, duke i konsideruar ato si shenjë se frika po thyhet dhe se një pjesë e rinisë po rikthehet në jetën publike për të kërkuar ndryshim.
