Rama u përgjigjet protestave: “Shqipëria nuk mund t’i mbyllë dyert investimeve të huaja”

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat e fundit kundër projekteve të investimeve në zonën e Zvërnecit, duke mbrojtur politikën e qeverisë për tërheqjen e kapitaleve të huaja dhe zhvillimin e turizmit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama solli në vëmendje shembullin e ishullit grek të Mykonosit, ku sipas tij po vijojnë investime të mëdha ndërkombëtare në sektorin e turizmit dhe hotelerisë, ndërsa vendet e rajonit po konkurrojnë për të tërhequr sa më shumë kapital të huaj.

Kreu i qeverisë kritikoi ashpër qëndrimet kundër investimeve të huaja, duke argumentuar se Shqipëria nuk mund të ecë në drejtim të kundërt me trendet globale të zhvillimit ekonomik.

“Po si mund t’i mbyllim ne rrugët për kapitalet e mëdha, tani që ato po nisin të vijnë në Shqipëri pas gjithë përpjekjeve të bëra për të arritur deri këtu? E gjithë bota zhvillon turizmin dhe ekonominë duke tërhequr investime të huaja, ndërsa ne do të matemi me sa rezistojmë kundër tyre?”, shkroi Rama.

Sipas tij, debati i krijuar rreth investimeve strategjike rrezikon të pengojë zhvillimin ekonomik dhe potencialin turistik të vendit në një moment kur Shqipëria po fiton vëmendje të shtuar nga investitorët ndërkombëtarë.

Kryeministri paralajmëroi se refuzimi i investimeve të huaja do të ishte një hap pas për vendin dhe një pengesë për përmirësimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk ka për ta pranuar një vetëprapakthim kolektiv në një kohë kur konkurrenca rajonale po ecën me ritme të shpejta për të siguruar më shumë investime dhe zhvillim”, theksoi ai.

Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur protestat kundër projekteve të diskutueshme në bregdet po vazhdojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa debati mbi balancën mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit mbetet në qendër të diskutimit publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related