BIRN: Analistët kritikojnë strategjinë e Ramës ndaj protestave, flasin për krijimin e një “realiteti paralel”

Data

Mijëra qytetarë vijojnë të protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë kundër projekteve të debatueshme në zonat e mbrojtura, korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Sipas një analize të publikuar nga BIRN, ndërsa protestat po zgjerohen dhe po tërheqin mbështetje edhe nga diaspora shqiptare, kryeministri Rama ka zgjedhur të zhvillojë takime politike në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, të cilat zhvillohen në të njëjtat orare me tubimet protestuese.

Analistët e intervistuar nga BIRN e konsiderojnë këtë qasje si një përpjekje për të krijuar një “realitet paralel”, ku narrativa e suksesit dhe zhvillimit përplaset me kërkesat e qytetarëve për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi politike.

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, vlerëson se ekziston një kontrast i thellë mes mesazheve të qeverisë dhe shqetësimeve të brezit të ri që po proteston në rrugë. Sipas tij, retorika e përdorur nga kryeministri shpesh bie ndesh me standardet që kërkon integrimi europian.

Ndërkohë, Agron Haxhimali, drejtues i Institutit Shqiptar të Bashkive, argumenton se vendi po përjeton dy realitete të ndryshme: një Shqipëri që prezantohet përmes propagandës së zhvillimit dhe një tjetër që shfaqet në rrugë përmes pakënaqësisë qytetare.

Të dy analistët kanë ngritur shqetësime edhe për përfshirjen e administratës publike në aktivitetet politike, duke e konsideruar këtë një praktikë problematike në një vend që synon standardet e Bashkimit Europian.

Sipas tyre, në vend të përballjes me kritikat dhe kërkesat e protestuesve, qeveria po fokusohet te mesazhet politike dhe mobilizimi i strukturave partiake, ndërsa protestat po vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes publike brenda dhe jashtë vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related