Rama: Nuk do të lejoj që projekti në Zvërnec të bllokohet para se të lindë

Data

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sërish projektin e investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se nuk do të lejojë që ai të pengohet nga kundërshtimet që, sipas tij, synojnë ta “vrasin” projektin pa u finalizuar ende.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vende të Bashkimit Europian, Rama u shpreh se aktualisht nuk ekziston një projekt i miratuar, por vetëm një proces pune që do të pasohet nga vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe më pas nga paraqitja e projektit përfundimtar.

Sipas kreut të qeverisë, investimi po zhvillohet nga një kompani me përvojë të njohur ndërkombëtare, e cila ka realizuar projekte të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe po bashkëpunon me ekspertë të nivelit të lartë në fusha të ndryshme.

“Ky është një sulm i madh për ta vrarë projektin para se të lindë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk do ta lejoj që një investimi t’i thuhet ‘ik’, me argumentin se zona duhet të mbetet e paprekur”, deklaroi Rama.

Ai argumentoi se zona ku parashikohet investimi përballet prej vitesh me probleme të shumta të menaxhimit dhe mirëmbajtjes, duke përfshirë mungesën e pastrimit dhe degradimin e mjedisit natyror.

Kryeministri theksoi se procesi do të vijojë në përputhje me procedurat ligjore, duke nisur me vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis, ndërsa siguroi se qeveria ka vendosur kritere të qarta për standardet që duhet të respektojë investitori.

Projekti në Zvërnec ka shkaktuar debate të forta publike dhe protesta qytetare gjatë ditëve të fundit, ndërsa institucionet europiane kanë kërkuar transparencë dhe respektim të plotë të standardeve mjedisore përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related