Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat të fortë me gazetarët e huaj gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të mediave europiane, ku në qendër të diskutimit ishte projekti i shumëdebatuar në Zvërnec.
Rama kundërshtoi me forcë pretendimet se projekti është pezulluar apo anuluar, duke këmbëngulur se nuk ka ekzistuar asnjë projekt i miratuar që mund të pezullohej ose të anulohej.
Gjatë debatit, gazetarët iu referuan deklaratave të autoriteteve dhe të ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, sipas të cilave projekti ishte anuluar. Kryeministri reagoi menjëherë duke kërkuar sqarime dhe duke mohuar se kishte bërë ndonjëherë një deklaratë të tillë.
“Gënjeshtrat janë shumë joshëse dhe përhapen me shpejtësi. Por unë po ju pyes: cila është diferenca mes ‘nuk ka projekt’ dhe ‘projekti është anuluar’? Nëse nuk ekziston një projekt, çfarë do të anulosh apo pezulloje?”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se procesi aktual lidhet vetëm me hartimin dhe studimin e mundshëm të projektit, ndërsa nuk ekziston ende një dokument i miratuar nga autoritetet shqiptare.
Debati u tensionua më tej kur një gazetare i kujtoi deklaratat e ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato. Rama kërkoi të dinte saktësisht se kur ishte bërë deklarata dhe, pasi mori përgjigjen se ajo ishte dhënë gjatë mëngjesit, u përgjigj prerazi:
“Nuk e di çfarë ka thënë ai. Ajo që di unë është se nuk ka projekt dhe kjo është reale.”
Kryeministri akuzoi gjithashtu një pjesë të mediave dhe rrjeteve sociale për përhapjen e informacioneve të pasakta, duke argumentuar se debati publik është ndërtuar mbi interpretime që, sipas tij, nuk përputhen me faktet.
Çështja e Zvërnecit ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe protesta gjatë ditëve të fundit, ndërsa qeveria vijon të mbrojë qëndrimin se ende nuk ka një projekt të miratuar dhe se çdo zhvillim i mundshëm do t’i nënshtrohet procedurave ligjore dhe vlerësimeve mjedisore përkatëse.
