Tritan Kalo: Hantaviruset janë të pranishme edhe në Shqipëri, por nuk ka vend për panik

Data

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo ka reaguar lidhur me shqetësimet e fundit për hantavirusin, duke theksuar se këto viruse njihen prej kohësh dhe janë të pranishme edhe në Shqipëri.

Në një prononcim për median DITA, Kalo sqaroi se rastet lidhen kryesisht me kontaktet e njerëzve me minjtë e arave dhe ambientet e kontaminuara nga brejtësit.

Sipas tij, situata duhet monitoruar me kujdes, por pa krijuar alarm të panevojshëm në publik.

“Anijet kanë minj në bordet e tyre. Hantaviruset janë të pranishme edhe te ne. Shkaktojnë çdo vit infektime sepse njerëzit kanë kontakte me minjtë e arave. Është diçka që duhet marrë në konsideratë, por jo për t’i rënë kambanave të alarmit”, u shpreh Kalo.

Mjeku shpjegoi se një nga mënyrat kryesore të transmetimit është përmes thithjes së pluhurit të kontaminuar me ekskremente të minjve, ndërsa në raste më të rralla mund të ketë edhe transmetim përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar.

Ai theksoi se sëmundja mund të jetë serioze, pasi aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik antiviral për hantavirusin.

“Prekjet pulmonare nga pluhuri me ekskrementet e minjve ose kontakti direkt me të sëmurë të tillë janë rrugë të mundshme infektimi. Ka rreth 10–12% rrezik vdekjeprurës sepse nuk ka mjekim specifik”, deklaroi Kalo.

Ekspertët e shëndetësisë këshillojnë shmangien e kontakteve me ambiente të ndotura nga brejtësit, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse gjatë pastrimit të magazinave apo zonave rurale dhe ruajtjen e higjienës në ambiente ku mund të ketë prani minjsh.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related