Protestuesit që prej nëntë ditësh po kundërshtojnë projektin në Zvërnec dhe politikat e qeverisë kanë njoftuar organizimin e një tubimi mbarëkombëtar më 10 qershor në kryeqytet.
Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën edhe këtë të hënë në Sheshin Skënderbej, prej nga marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u tubuar më pas para godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, pjesëmarrësit kërkuan mbrojtjen e zonave të mbrojtura natyrore, shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që sipas tyre cenojnë këto territore, si dhe ndalimin e projekteve që mund të ndikojnë në ekosistemet e ndjeshme mjedisore.
Nën moton “Atdheu nuk është në shitje”, protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj politikave që, sipas organizatorëve, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe trashëgiminë mjedisore të vendit. Ata theksuan se mbrojtja e natyrës dhe transparenca në vendimmarrje duhet të jenë prioritete kombëtare.
Sipas organizatorëve, protesta e 10 qershorit synon të bashkojë qytetarë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, si dhe shqiptarë të diasporës, për të ngritur zërin në mbrojtje të zonave të mbrojtura dhe kundër ndërhyrjeve që konsiderohen të dëmshme për mjedisin.
Tubimi i paralajmëruar pritet të jetë një nga organizimet më të mëdha të deritanishme të kësaj lëvizjeje qytetare, e cila nisi si reagim ndaj zhvillimeve në zonën e Zvërnecit dhe gradualisht është shndërruar në një debat më të gjerë mbi mjedisin, transparencën dhe modelin e zhvillimit të vendit.
