“Revolucioni Flamingo” në fokusin e mediave botërore, protesta në Shqipëri merr jehonë ndërkombëtare

Data

Protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri kundër qeverisë dhe projektit të diskutueshëm në Zvërnec kanë tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat po raportojnë gjerësisht mbi zhvillimet në vend.

Media të njohura si Bloomberg, The Guardian dhe CBS News kanë evidentuar vazhdimësinë e protestave në Tiranë, të cilat në raportimet e tyre janë përshkruar si “Revolucioni Flamingo”, duke theksuar pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve në tubimet kundër qeverisë.

Ndërkohë, Al Jazeera dhe Le Monde i kanë kushtuar vëmendje karakterit qytetar të lëvizjes, duke vënë në dukje se protesta ka tejkaluar kufijtë e debateve tradicionale partiake dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes publike.

BBC News ka raportuar si mbi kërkesat e protestuesve, ashtu edhe mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare. Në artikujt dhe kronikat e publikuara, theksohet se kryeministri Edi Rama e konsideron projektin e planifikuar si një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik për vendin.

Nga ana tjetër, mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar shqetësimet e aktivistëve dhe qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit, duke përmendur zona të ndjeshme ekologjike si Laguna e Nartës dhe ishulli i Sazanit, të cilat janë kthyer në qendër të debatit publik.

Agjenci të mëdha lajmesh si Reuters dhe Associated Press, si edhe media publike amerikane NPR, kanë transmetuar mesazhet dhe sloganet e protestuesve, përfshirë thirrje për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kërkesat për ndryshim politik.

Në raportimet e CNN është cituar edhe Ariel Brunner, drejtor për Evropën i organizatës mjedisore BirdLife International, i cili ka shprehur shqetësime për ndërhyrjet e kryera në zonat bregdetare dhe ndikimin e tyre në habitatet natyrore.

Ndërkohë, e përditshmja britanike The Times ka analizuar arsyet që kanë çuar në mobilizimin e qytetarëve shqiptarë, duke e lidhur protestën me debatet mbi zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe pakënaqësitë e akumuluara ndaj politikës.

Jehona ndërkombëtare e këtyre protestave konfirmon interesin e shtuar që zhvillimet në Shqipëri kanë ngjallur në opinionin publik dhe mediat globale, ndërsa debati mbi të ardhmen e projekteve në zonat e mbrojtura mbetet i hapur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related