Forcat speciale të RENEA janë angazhuar në një operacion kërkimi në Kamëz pas vrasjes së 26-vjeçarit Ardian Baloshi, i cili humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas informacioneve paraprake, autoritetet dyshojnë se autori i ngjarjes mund të jetë ende i armatosur, çka ka bërë që në operacion të përfshihen edhe strukturat elitare të policisë.
Menjëherë pas ngjarjes, zona ku dyshohet se është larguar autori është vendosur nën monitorim dhe kontrolle intensive. Efektivët po kryejnë verifikime në terren, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollohen ambiente ku autori mund të jetë fshehur.
Burime paraprake bëjnë me dije se policia ka identifikuar personin e dyshuar për krimin dhe po punon për lokalizimin e tij. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar për arrestimin e tij.
Ngjarja ka shkaktuar alarm në zonë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të vrasjes.
Policia pritet të japë detaje të tjera zyrtare në vijim lidhur me ecurinë e operacionit dhe rezultatet e kërkimeve për kapjen e autorit të dyshuar.
