Policia e Durrësit shton masat për sezonin veror, trafiku monitorohet me teknologji inteligjente

Data

Drejtuesit e strukturave të Policisë së Durrësit kanë prezantuar bilancin e punës për muajin maj dhe masat e marra për përballimin e fluksit të shtuar gjatë sezonit turistik veror.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, drejtori i Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Ervin Hodaj, bëri të ditur se gjatë muajit maj janë evidentuar 383 vepra penale, nga të cilat 382 janë zbuluar. Sipas tij, 117 persona janë arrestuar, 302 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia ka finalizuar gjithashtu 10 operacione të ndryshme, ku janë arrestuar 36 persona, ndërsa disa prej aksioneve janë fokusuar në goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike, përfshirë raste pranë institucioneve arsimore në Shijak dhe Kavajë.

Lidhur me sezonin turistik, Hodaj theksoi se monitorimi i trafikut është intensifikuar përmes përdorimit të pajisjeve inteligjente dhe sistemeve moderne të kontrollit rrugor.

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë muajit të fundit janë vendosur 11.373 masa administrative për shkelje të qarkullimit rrugor, një rritje e ndjeshme krahasuar me muajin paraardhës. Po ashtu, janë regjistruar 10 aksidente rrugore, me pasojë katër viktima, katër të plagosur rëndë dhe tetë të plagosur lehtë.

Policia Rrugore ka proceduar penalisht 62 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme, ku 34 prej tyre janë arrestuar, ndërsa shumica e rasteve lidhen me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Altin Lila, deklaroi se gjatë muajit maj në pikat kufitare të qarkut janë përpunuar mbi 46 mijë shtetas dhe më shumë se 20 mijë automjete.

Ai bëri të ditur se fluksi më i lartë i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 2.140 udhëtarë dhe 1.060 automjete, ndërsa janë shtuar sportelet dhe personeli për të përballuar rritjen e lëvizjeve gjatë sezonit veror.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe sigurisë në plazhe dhe hapësirat ujore. Për këtë qëllim janë angazhuar 275 efektivë policie, 11 patrulla ujore me Jet Ski, 5 mjete lundruese, si dhe patrulla tokësore që monitorojnë zonat turistike.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se kontrolli i vijës bregdetare po kryhet edhe me dronë, me synimin për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe respektimin e rregullave nga subjektet që operojnë në plazhe gjatë sezonit turistik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related