Protesta në Tiranë ka vijuar edhe në orët e mbrëmjes, me mijëra qytetarë që janë rikthyer para godinës së Kryeministrisë pas një marshimi në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Pjesëmarrësit, të cilët marshuan për disa orë në zona të ndryshme të Tiranës, u mblodhën sërish në sheshin përballë selisë së qeverisë, ku vijuan protestën e tyre me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.
Të ulur në shesh dhe me dritat e telefonave të ndezura, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kreut të qeverisë, ndërsa atmosfera u shoqërua me valëvitjen e flamujve kombëtarë dhe slogane të ndryshme.
“Revolucion”, “Shqipëri e Re”, “Edi Rama ka mbaruar” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë tubimit.
Protesta po zhvillohet mes masave të shtuara të sigurisë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Deri tani nuk janë raportuar incidente të rëndësishme gjatë marshimit dhe grumbullimit para Kryeministrisë.
Tubimi konsiderohet një nga manifestimet më të mëdha të javëve të fundit në kryeqytet, duke sjellë në qendër të vëmendjes debatet politike dhe kërkesat e protestuesve ndaj qeverisë.
