Ndërsa protesta qytetare po fiton mbështetje gjithnjë e më të madhe në Shqipëri dhe në diasporë, janë shtuar edhe përpjekjet për ta njollosur, përçarë dhe deformuar atë përmes propagandës dhe dezinformimit.
Ditët e fundit janë shpërndarë në rrjetet sociale materiale dhe pretendime të pavërteta, ku qytetarë të angazhuar në protestë etiketohen padrejtësisht si pjesë e strukturave politike apo si kandidatë të partive të ndryshme. Këto veprime nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën, por synojnë të krijojnë konfuzion dhe të zbehin karakterin qytetar të protestës.
Në rastin tim, është publikuar në mënyrë të rreme pretendimi se kam qenë kandidat për deputet i Partisë Demokratike. Dua ta sqaroj publikisht se nuk kam qenë kurrë kandidat për deputet i Partisë Demokratike, nuk kam qenë pjesë e strukturave të saj, nuk kam qenë anëtar i saj dhe nuk mbaj asnjë funksion politik në atë parti.
Këto manipulime tregojnë qartë frikën që ka kapluar ata që nuk e pranojnë dot zërin e lirë të qytetarëve. Sa më shumë rritet mbështetja për protestën, aq më shumë shtohen shpifjet, etiketimet dhe sulmet personale ndaj njerëzve që marrin pjesë në të.
Qytetarët shqiptarë duhet të jenë vigjilentë ndaj lajmeve të rreme dhe përpjekjeve për manipulim. Protesta është qytetare, paqësore dhe e pavarur nga partitë politike. Asnjë fushatë shpifjesh nuk do ta ndryshojë këtë realitet dhe as nuk do të ndalë qytetarët të shprehin lirshëm shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
E vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda. Sa më shumë që përpiqen ta përçajnë këtë lëvizje, aq më shumë tregojnë se kanë frikë prej saj.
