Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit të ri kërkon kohë dhe konsultime të gjera politike, duke theksuar se afati kushtetues është 30 ditë dhe jo vetëm disa ditë.
Në një konferencë për shtyp, Kurti u shpreh se fillimisht do të zhvillojë konsultime të brendshme brenda forcës së tij politike dhe më pas do të dërgojë ftesa për takime me liderët e partive opozitare.
Ai theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi të gjerë politik për këtë proces, duke nënvizuar se synimi është sigurimi i një numri sa më të madh votash në Kuvend.
Sipas Kurtit, edhe pse minimalisht nevojiten 80 vota për zgjedhjen e presidentit, është e dëshirueshme që në sallë të jenë 85 ose 86 deputetë, për të garantuar një proces të sigurt dhe të suksesshëm.
Kryeministri bëri të ditur se në ditët në vijim pritet të nisë takimet me opozitën, ndërsa theksoi se përmbajtja e diskutimeve dhe marrëveshjeve të mundshme do të bëhet e qartë vetëm pas zhvillimit të këtyre konsultimeve.
Procesi i zgjedhjes së presidentit konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme politike në vend, që kërkon bashkëpunim ndërpartiak dhe stabilitet institucional.
