Një moment shqetësues, por me përfundim të lumtur, është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së dielës përpara Kryeministrisë në Tiranë.
Mes mijëra qytetarëve të mbledhur në ditën e tetë të tubimeve, një fëmijë humbi kontaktin me familjarët e tij, duke shkaktuar alarm dhe reagim të menjëhershëm nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në protestë.
Sapo u bë njoftimi për humbjen e fëmijës, protestuesit ndërprenë për disa çaste aktivitetin dhe iu përgjigjën thirrjes për ndihmë. Për të lehtësuar identifikimin e tij, qytetarët u ulën në tokë, duke krijuar mundësinë që fëmija të dallohej më lehtë mes turmës.
Pas disa minutash kërkime, djali i vogël u gjet shëndoshë e mirë dhe iu rikthye familjarëve të tij, duke sjellë lehtësim dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Ngjarja u konsiderua si një moment solidariteti dhe bashkëpunimi mes protestuesve, të cilët reaguan menjëherë për të ndihmuar në gjetjen e fëmijës dhe për të garantuar sigurinë e tij.
