Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestat qytetare, duke e akuzuar atë për mungesë reflektimi dhe për përdorimin e një gjuhe përçmuese ndaj protestuesve.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi tha se Rama po vijon të sulmojë dhe të fyejë qytetarët që kanë dalë në sheshe, mes tyre të rinj, familjarë me fëmijë, prindër, intelektualë dhe figura të njohura të jetës publike.
Sipas deputetit demokrat, pjesëmarrësit në protesta nuk mund të etiketohen si injorantë apo të pavetëdijshëm, pasi mes tyre ka njerëz me formim të lartë dhe angazhim qytetar. Ai shtoi se zemërimi dhe pakënaqësia që shfaqet në tubime duhet të shërbejnë si një sinjal reflektimi për qeverinë.
“Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të dëgjojë mesazhin e qytetarëve dhe të kuptojë arsyet e revoltës së tyre, jo t’i sulmojë ata”, shprehet Këlliçi.
Ai theksoi se protestat janë shprehje e pakënaqësisë ndaj mënyrës së qeverisjes, ndërsa akuzoi Ramën për arrogancë dhe korrupsion. Sipas tij, reagimet e shpeshta të kryeministrit ndaj protestave tregojnë se ai po ndjen presionin e situatës.
Në përfundim të reagimit, Këlliçi i bëri thirrje Ramës të largohet nga detyra, duke argumentuar se vazhdimi i qeverisjes së tij vetëm sa rrit kostot politike dhe sociale për qytetarët dhe vendin.
“Sa më shumë sulmon protestuesit, aq më shumë forcon bindjen se qytetarët kanë të drejtë në kërkesat e tyre. Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi dhe ndryshim”, përfundon reagimi i deputetit demokrat.
