Berisha sulmon Ramën për projektin në Zvërnec: Po fsheh të vërtetën dhe po sulmon qytetarët në vend që të japë llogari

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke e akuzuar kreun e qeverisë për mungesë transparence dhe shmangie të përgjegjësive.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha tha se Rama përdori komunikimin e tij publik të së dielës për të sulmuar dhe përçmuar qytetarët që prej ditësh po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Sipas tij, në vend që të japë shpjegime për shqetësimet e ngritura nga protestuesit dhe organizatat mjedisore, kryeministri po përpiqet të zhvendosë debatin drejt pretendimeve për ndërhyrje të huaja dhe “luftë hibride”.

“Edi Rama përdori monologun e radhës për të sulmuar, kërcënuar dhe përçmuar qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij dhe anulimin e vendimeve që, sipas tyre, përbëjnë rrezik për mjedisin dhe klimën e investimeve në Shqipëri”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës ngriti pikëpyetje lidhur me procedurat që, sipas tij, duhet të ishin ndjekur për një projekt të kësaj natyre, duke përmendur çështje si pronësia, vlerësimet mjedisore dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian.

Berisha pretendoi se qeveria nuk ka ofruar sqarime të mjaftueshme mbi ndikimin e projektit në zonën e mbrojtur dhe se nuk ka pasur transparencë për dokumentacionin teknik dhe procedurat e ndjekura.

Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës për protestuesit, duke i cilësuar si shprehje arrogance dhe mungese respekti ndaj qytetarëve që po shprehin pakënaqësitë e tyre në mënyrë publike.

Sipas Berishës, debati për Zvërnecin nuk lidhet vetëm me një projekt investimi, por me mënyrën se si merren vendimet për pasuritë publike, mjedisin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Deklaratat e liderit të opozitës vijnë në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec po vazhdojnë në disa qytete të Shqipërisë dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit, ndërsa përplasjet politike mes qeverisë dhe opozitës mbi këtë çështje janë intensifikuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related