Rrezikoi pushuesit në Borsh, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues dhe gjobit drejtuesin me 500 mijë lekë

Data

Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues në zonën e Borshit, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve dhe patrullimeve të shtuara përgjatë vijës bregdetare, shërbimet e Policisë Kufitare evidentuan shkeljen në zonën e quajtur “Krorëz”, ku mjeti lundrues kishte hyrë në hapësirën e rezervuar për pushuesit që po laheshin në det.

Pas verifikimeve dhe procedurave administrative, autoritetet vendosën ndaj drejtuesit të mjetit një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

Policia Kufitare bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik, me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë në det të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të shmangin hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.

Po ashtu, Policia e Shtetit thekson se edhe në zonat ku perimetrat e sigurisë nuk janë vendosur ende, mjetet lundruese nuk duhet të afrohen pranë bregut apo të kryejnë manovra në vende ku ka pushues, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related