Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka shprehur mbështetjen e saj për kërkesat e protestuesve në Shqipëri dhe diasporë, duke deklaruar se tashmë beteja për mbrojtjen e interesit publik nuk duhet të mbetet vetëm politike apo parlamentare, por të shndërrohet në një kauzë të gjerë qytetare.
Në një reagim publik, Zhupa renditi pesë kërkesat kryesore që, sipas saj, po artikulohen nga protestuesit: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, heqjen e Paketës së Maleve, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Sipas deputetes demokrate, ligji për investimet strategjike është shndërruar në një instrument që ka favorizuar interesa të caktuara private në dëm të interesit publik dhe konkurrencës së ndershme.
Zhupa kujtoi gjithashtu angazhimin e saj kundër ndryshimeve në legjislacionin e trashëgimisë kulturore dhe zonave të mbrojtura, duke përmendur iniciativat ligjore, interpelancat parlamentare, protestat publike dhe ankimimet në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo theksoi se prej vitesh ka kundërshtuar dhënien me koncesion të pasurive kulturore dhe ndryshimet ligjore që, sipas saj, kanë hapur rrugën për projekte të diskutueshme në zona me vlera historike dhe natyrore.
“Nuk mungojnë zgjidhjet. Ato ndodhen në sirtarët e Parlamentit. Ajo që mungon është vullneti i mazhorancës për të mbrojtur interesin publik në vend të interesave klienteliste”, u shpreh Zhupa.
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja deklaroi se momenti aktual kërkon një angazhim më të gjerë shoqëror.
“Ka ardhur dita që kjo betejë të mos jetë më vetëm parlamentare apo politike, por edhe qytetare. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë shqiptarët që ngrihen në mbrojtje të vendit të tyre, të natyrës, të trashëgimisë, të interesit publik dhe të së ardhmes sonë të përbashkët”, theksoi ajo.
