Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave që prej një jave po zhvillohen kundër projektit turistik në Zvërnec dhe që tashmë janë shndërruar në tubime me kërkesa për dorëheqjen e qeverisë.
Gjatë një deklarate publike, kreu i qeverisë i cilësoi protestuesit si një grup heterogjen ku, sipas tij, përfshihen persona të shqetësuar realisht, por edhe individë që kërkojnë vëmendje në rrjetet sociale apo që ndikohen nga teori konspirative.
Rama tha se pasqyrimi ndërkombëtar i protestave nuk përputhet me realitetin në terren, duke argumentuar se numri i pjesëmarrësve është shumë më i ulët nga sa paraqitet në media dhe në rrjetet sociale.
Sipas tij, projekti në Zvërnec përfaqëson një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për transformimin e Shqipërisë në një destinacion elitar turistik.
“Projekti do të bëhet. Është një e mirë e madhe për ekonominë tonë, një bekim për Vlorën dhe një kapërcim epokal për Shqipërinë turistike dhe europiane”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se pas kundërshtimeve ndaj projektit qëndrojnë motive të ndryshme, duke përfshirë kundërshtarë politikë, interesa konkurruese rajonale dhe aktorë që, sipas tij, nuk dëshirojnë suksesin e investimeve të mëdha në Shqipëri.
Ai paralajmëroi gjithashtu se klima e tensionuar dhe imazhi negativ që po transmetohet mund të ndikojnë në sektorin e turizmit, duke përmendur sinjale të para të anulimeve të rezervimeve në jug të vendit.
“Kemi nisur të shohim disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë. Nëse kjo kthehet në trend, do të dëmtohen bizneset e vogla dhe familjet që presin sezonin turistik për të siguruar të ardhurat e tyre”, u shpreh Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit të Zvërnecit dhe kundër qeverisë po vazhdojnë në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
