Pas një jave protestash të vazhdueshme në Tiranë dhe qytete të tjera, lëvizja kundër projektit të zhvillimit turistik në Zvërnec është rikthyer këtë të shtunë në vendin ku nisi gjithçka.
Qindra qytetarë nga Vlora, Tirana dhe rrethe të tjera të vendit u mblodhën në zonën e plazhit të Zvërnecit për të shprehur kundërshtimin ndaj ndërtimeve të planifikuara në këtë hapësirë, të cilën e konsiderojnë një pasuri natyrore me vlera të veçanta mjedisore dhe turistike.
Me pankarta dhe thirrje në mbrojtje të natyrës, protestuesit marshuan përgjatë vijës bregdetare, duke kërkuar që zona të mbetet e paprekur nga projektet e mëdha ndërtimore. Sipas tyre, zhvillimi ekonomik nuk duhet të vijë në kurriz të ekosistemeve të mbrojtura dhe trashëgimisë natyrore të vendit.
Pjesëmarrësit theksuan se kundërshtimi i tyre nuk lidhet vetëm me një projekt të veçantë, por me mënyrën se si po trajtohen zonat e mbrojtura dhe hapësirat publike në Shqipëri. Ata kërkuan më shumë transparencë në vendimmarrje dhe përfshirje të komunitetit në projektet që prekin territore me rëndësi mjedisore.
Gjatë aktivitetit, protestuesit prezantuan bukuritë natyrore të zonës dhe argumentuan se potenciali turistik i Zvërnecit mund të zhvillohet përmes modeleve të qëndrueshme që ruajnë biodiversitetin dhe karakterin unik të lagunës së Nartës dhe bregdetit përreth.
Tubimi u zhvillua pa incidente, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim deri në dëgjimin e kërkesave të tyre nga institucionet përgjegjëse.
