Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS ka marrë rolin prokurorit për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, i cili ndërro jetë pas dhunës së ushtruar dhe u la i shtrirë për minuta të tëra në rrugë.
Edhe pse familjarët e 42-vjeçarit që humbi jetën nga dhuna e ushtruar, kanë hedhur akuza të forta ndaj policisë se ka manipuluar ngjarjen e rëndë, Rama sot mori rolin e prokurorit dhe dha ‘provat’ e tij për vrasjen e e Egli Progës.
“U vu kuja se policia kishte tentuar ta fshihte krimin. Gënjeshtër. Shpejtësia dhe ndalimi i autorit është dokumentuar. U tha se ambulanca erdhi 40 min me vonesë, gënjeshtër. Mbërritja e ambulancës është e dokumentuar.
U përhap përralla se autori kishte mburojë politike, gënjeshtër. Jo vetëm dihet botërisht që PS nuk mbron as ministrat, por në rastin konkret ai dajë në fjalë që dikur ka qenë pjesë e PS është një person i dënuar me detyrën dhe prej kohësh nuk ka asnjë angazhim me PS. I ndjeri po, ai ishte anëtar me tesër i PS dhe nuk ishte pronari i lokalit ku ndodhi përplasja, por punonjës i OSSHE”, tha Rama.
