Bordi i Transparencës ka vendosur ndryshime të reja në çmimet tavan të karburanteve në vend, duke ulur çmimin e naftës me 2 lekë për litër dhe duke rritur çmimin e benzinës me 1 lek për litër.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e datës 6 qershor 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i gazoilit është përcaktuar në 190 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë në 178 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 173 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 161 lekë për litër.
Vendimi hyn në fuqi këtë të shtunë, më 6 qershor, në orën 14:30 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Në njoftimin zyrtar, Bordi u ka kujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve detyrimin për zbatimin e çmimeve të miratuara, duke paralajmëruar masa administrative dhe pezullim të aktivitetit në rast shkeljesh.
Gjithashtu, institucionet përgjegjëse sqarojnë se çmimet aktuale ndodhen nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, çka nënkupton se akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë prej 100%.
Sa i përket gazoilit për peshkim, referuar përjashtimeve ligjore nga taksat kombëtare dhe akciza, çmimi i tij është përcaktuar në 95 lekë për litër.
